
Rinia dhe Hapësirat Rinore
Për rininë, hapësirat publike janë pjesë e domosdoshme e zhvillimit të tyre. Ato lehtësojnë ndërveprimin social dhe lidhjet kulturore, duke ndihmuar në krijimin e një përkatësie për pronën publike, identitet dhe përkatësi në komunitet.
Rinia është një nga grupet e përdoruesve më aktivë të hapësirave publike dhe është e rëndësishme që qytetet të përfshijnë perspektivat e të rinjve në krijimin e këtyre hapësirave.
Duke filluar nga shkollat, bibliotekat, sheshet, parqet dhe qendrat e tjera rekreative urbane, të gjitha këto kthehen në pika qendrore për zhvillimin e të rinjve. Sa më kreative, të arritshme dhe të mirë projektuara të jenë këto hapësira për të rinjtë, aq më i lartë do të jetë ndikimi në jetën e tyre sociale dhe kulturore.
Ky program synon të nxisë zbatimin e projekt ideve që ofrojnë hapësira fizike dhe infrastruktura shtesë e miqësore për të rinjtë në qytet, të cilat janë autonome, të hapura, të sigurta dhe të aksesueshme nga të gjithë. Disa nga këto hapësira kanë për qëllim ofrimin e mbështetjes profesionale për zhvillimin dhe sigurimin e mundësive për pjesëmarrjen e të rinjve në vendimmarrje dhe në jetën e qytetit.
Qëllimi fundor i këtij programi është që të rinjtë të bëhen bashkë-dizenjues të hapësirave urbane të Tiranës, duke identifikuar gjithashtu mënyra se si komuniteti i tyre mund të përdorë këto hapësira për të patur një angazhim më të mirë social dhe kulturor.