
Rinia dhe Eco-Health
Shëndeti i njerëzve është mjaft i ndërlidhur me shëndetin e mjedisit përreth tyre. Çështje si ndryshimi i klimës dhe pandemia janë duke u kthyer gjithmonë e më shumë në kambana alarmi.
Të rinjtë përbëjnë një pjesë të madhe të popullsisë së botës dhe do të duhet të jetojnë më gjatë me pasojat e vendimeve aktuale mjedisore. Është shumë thelbësore që Shqipëria të fillojë tranzicionin e saj drejt një ekonomie dhe mënyre jetese më të gjelbër. Jemi partizanë të mendimit se të rinjtë duhet të luajnë një rol të rëndësishëm në udhëheqjen e popullsisë së vendit drejt ndryshimeve në sjelljen dhe zakonet e tyre.
Programi Eco – Health promovon një mënyrë të shëndetshme jetese tek të rinjtë dhe synon të rrisë ndërgjegjësimin e tyre për rëndësinë thelbësore të një ekosistemi të shëndetshëm për të gjitha qeniet dhe organizmat që gjenden në natyrë. Njerëzit janë një pjesë e rëndësishme e këtij ekosistemi, por njëkohësisht edhe rreziku i tij më i madh.
Përmes këtij programi, do të përdoren praktika arsimore jo formale si pjesëmarrja gjithëpërfshirëse dhe vullnetare në iniciativat e përbashkëta të mbjelljes së pemëve; aktivitete edukuese mes bashkëmoshatarëve të cilat adresojnë shëndetin mendor dhe fizik; do të promovojmë një mënyrë jetese aktive dhe të bazuar në natyrë, duke përfshirë praktikat e të ushqyerit të shëndetshëm dhe kujdesin vetjak; do të organizohen workshope inovative me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit mbi çështjet shëndetësore dhe çështjet e mjedisit në nivel lokal por edhe atë global, ku të rinjtë do të ofrojnë idetë dhe zgjidhjet e tyre për adresimn e sfidave.
Këto aktivitete do të inkurajojnë të rinjtë të bëhen udhëheqës aktivë të ndryshimit për një shoqëri më të shëndetshme, të zhvilluar dhe të qëndrueshme.