
Rinia zhvillon Kapacitete
Investimi në formimin, në arsimimin e të rinjve dhe rritjen e kapaciteteve të tyre është një faktor i domosdoshëm për zhvillimin e kapaciteteve rinore. Kjo nënkupton krijimin e mundësive dhe pajisjen e tyre me mjetet dhe mënyrat e duhura për t'u bërë motori i zhvillimit në nivel individual dhe në komunitet.
Përfshirja aktive e të rinjve në planifikim, vendimmarrje dhe përpjekjet për të rritur mirëqenien lokale përbëjnë themelet e progresit shoqëror. Ndaj, ky program synon të ndihmojë të rinjtë në rrugëtimin e tyre drejt arritjeve personale përmes zhvillimit të kapaciteteve.
Duke kombinuar një sërë aktivitetesh të ideuara në mënyrë kreative, duke trajtuar aftësitë e nevojshme për sfera të ndryshme të jetës, ku të rinjtë jo vetëm do të trajnohen por do të jenë protagonistë aktivë në rritjen e kapaciteteve të bashkëmoshatarëve, programi do të mbështesë të rinjtë në zhvillimin e aftësive teknike dhe të buta, inteligjencës emocionale dhe personalitetit të tyre.
Projekt idetë e parashikuara për t’u zhvilluar në kuadër të këtij programi synojnë të përmirësojnë cilësinë e punës së të rinjve si dhe të rrisin sinergjinë me sistemet e arsimit dhe ofruesit e vendeve të punës. Të rinjtë do mund të marrin udhëzime për përdorimin e duhur të burimeve në dispozicion, do të shprehin idetë e tyre sipërmarrëse si dhe do të informohen se si të përshtaten me sfidat dhe dinamikat e punës dhe jetës së përditshme.
Krijimtaria, talentet dhe fryma e tyre e sipërmarrjes do të promovohen përmes këtij programi në mënyrë që të dalë në pah potenciali i tyre i vërtetë dhe që ata të mund të fitojnë siguri në zgjedhjet e tyre.