
Rinia krijon Kulturë
Kultura ka forcë të transformojë vizionin e një shoqërie, të forcojë komunitetet lokale dhe të krijojë një ndjenjë identiteti dhe përkatësie tek njerëzit e të gjitha moshave, por në veçanti tek brezi i ri. Si një faktor që nxit angazhimin e rinisë për t’i pasqyruar çështjet e jetës së përditshme në forma kreative, kultura luan kështu një rol thelbësor në zhvillimin e qëndrueshëm socio-ekonomik për brezat e ardhshëm.
Tirana ka bërë progres të rëndësishëm në këtë drejtim, por ka ende shumë punë për të maksimizuar më tej potencialin e kulturës dhe artit si një faktor për zhvillimin e rinisë dhe angazhimin e tyre në jetën jo vetëm të kryeqytetit, por të gjithë vendin.
Të rinjtë janë plot ëndrra e pasione por gjithashtu kanë energjinë dhe kapacitetin për t'u transformuar në një motor të ndryshimeve kulturore e sociale në një shkallë të gjerë.
Ky program synon të nxisë rininë për të eksploruar mënyrat se si kultura dhe arti mund të vihen në dobi të jetës së tyre të përditshme, por edhe të kthehen në një mjet të fuqishëm për ndryshime pozitive afatgjata.
Programi paraqitet si një hapësirë për të mirëpritur projekt ide të cilat parashikojnë ndërtimin e një itinerari aktivitetesh artistike dhe edukative, festivale dhe projekte shkëmbimi të cilat promovojnë aspektet ndërkulturore përmes eksplorimit të traditave dhe vlerave të ndryshme në Shqipëri, rajon dhe Evropë, duke e vënë theksin tek vlerat evropiane dhe tek aftësitë e ndryshme përmes të cilave të rinjtë mund të ndikojnë në zhvillimin e kulturës së një shoqërie.