
Pranë zyrave të Kongresit Rinor Kombëtar – Tirana EYC 2022 u mbajt workshopi koordinues i rradhës në kuadër të iniciativës “Promovimi i Iniciativave Socio-Ekologjike” që zhvillohet në bashkëpunim të plotë me Friedrich Ebert. Ky organizim zhvillohet në vijimësi e punës për hartimin e “Manualeve të Klimës” në 12 bashki të vendit. Ekipi i 12 Koordinatorëve lokal ka nisur punën që në Shkurt të këtij viti me ndërtimin e metodologjisë që do të ndiqet për hartëzimin e aktorëve në secilën bashki.
Për të pasur një metodologji shkencore rigoroze në identifikimin e aktorëve lokal, koordinatorët janë bërë pjesë e një cikli trajnimesh me qëllim zgjerimin e njohurive, ngritjen e kapaciteteve dhe finalizimin e metodave shkencore që do të përdoren për mbledhjen e informacionit për 4 tipologjitë kryesore siç janë institucionet, bizneset, OJF dhe rastet individuale e familjare.
Së bashku me trajneren, Jetona Myteveli, koordinatorët kanë përcaktuar kriteret, strukturën dhe tipologjitë e intervistave që do të implementohen deri në fund të muajit qershor.
Kjo fazë do të pasohet me ndërtimin e modeleve pozitive për subjektet më interesante që implementojne parimet socio-ekologjike të cilat do të shpalosin historitë e tyre të suksesit nëpërmjet videove promovuese.