
Përfshirja sociale në arsim dhe zhvillimin e aftësive, është në qendër të vëmendjes në vitin 2023, me Vitin Evropian të Aftësive. Komisioni Evropian miratoi propozimin për ta quajtur vitin 2023 si Viti Evropian i Aftësive, pas njoftimit nga Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ku u propozua përforcimi i investimeve në kapital njerëzor dhe përshtatja e nevojave ekonomike me aspiratat dhe talentet e njerëzve.
Kongresi Rinor Kombëtar, si një rrjet rinor dhe ombrellë organizatash rinore dhe grupesh joformale, me qëllim shkëmbimin e informacionit, nxjerrjen në pah të çështjeve të të rinjve si dhe advokimin për zgjidhjen e tyre, mirëpret këtë vit tematik për të përforcuar përpjekjet drejt investimit në aftësim dhe përfshirje të të rinjve.
Ndikimi i pandemisë globale Covid-19, kriza financiare, papunësia dhe sfidat për arsim cilësor janë vetëm disa nga çështjet kritike me të cilat përballemi.
Viti Evropian i Aftësive duhet të shërbejë si një vit që nxit reflektime dhe krijon mundësi konkrete për investime në kapitalin njerëzor, trajnime dhe ngritjen e kapaciteteve për të siguruar që të rinjtë navigojnë me sukses sfidat ekonomike, sociale, dhe politike.
KRK ndër vite i ka kushtuar rëndësi të veçantë fushës së aftësive rinore. Përgjatë vitit 2022, në kuadër të programit “Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë” dy prej programeve të këtij titulli u dedikuan tek aftësitë rinore si: Ekonomia Krijuese dhe Inovacioni, dhe Kapacitetet Rinore, programe të cilat nxorën në pah nevojat dhe interesat e të rinjve, veçanërisht atyre lidhur me transformimin digjital. Gjithashtu, iu dedikam krijimit të një strukturë me mbi 200 aktivistë të rinj, të cilët u përfshinë në programet dhe aktivitetet tona duke përforcuar aftësitë e tyre, duke u angazhuar në projekte të ndryshme dhe diverse, si ne fushën digjitale, teknologjike, apo dhe atë kulturore e sportive.
Ne besojmë se problematikat me të cilat përballen të rinjtë, në fushën e edukimit dhe arsimit cilësor apo trajnimeve duhet t’i përshtaten aspiratave dhe interesave të tyre për të siguruar një sistem më të rregulluar të edukimit formal dhe joformal për të rinjtë, ndikim më të fortë të të rinjve në procese politike dhe vendimmarrëse, si dhe hapësira publike funksionale për të rinjtë.
Investimi dhe përforcimi i aftësive të të rinjve në fusha të ndryshme do të vijojë të jetë një shtyllë e rëndësishme e punës së KRK përgjatë vitit 2023, në këtë vit tematik të quajtur Viti Evropian i Aftësive.
—–
Komisioni nis punën për Vitin Evropian të Aftësive, 2023 https://ec.europa.eu/social/main.jsp?langId=en&catId=89&newsId=10431&furtherNews=yes