
2022-it po i vjen fundi! Një vit i veçantë në të gjitha aspektet! Një vit dedikuar atyre që janë të mbushur me ëndrra, atyre që shohin të ardhmen, atyre që askush nuk mund t’i ndalë, të rinjve shqiptarë.
Përgjatë gjithë vitit 2022 mbajti Tirana “mbi supe” një titull të rëndësishëm, siç ishte ai i “Kryeqytetit Evropian të Rinisë”, titull ky i fituar falë ëndrrave të një grupi të rinjsh, që besuan dhe ia dolën. Ia dolën të sjellin në Shqipëri këtë titull, për të plotësuar ëndrrat e mijëra të rinjve në vendin e tyre. Me mijëra aktivitete gjithëpërfshirëse, u organizuan këtë vit.
360 organizata, grupe jo formale dhe individë arritën të fitonin, duke implementuar projektet e tyre përgjatë gjithë vitit 2022, nga të cilat 250 organizata, 60 grup joformale dhe 50 individë. Gjithashtu në bashkëpunim me donatorë, partnerë, dhe organizata ndërkombëtare u organizuan dhe do vijojnë edhe përtej këtij viti rreth 90 iniciativa dhe projekte flamur.
Titulli “Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022” ishte një mundësi fantastike, ku prej një viti u mbuluan një gamë e gjerë tematikash e prioritetesh me në fokus rininë, në nivel kombëtar, rajonal dhe evropian. Programi synoi dhe arriti: të sjellë ndryshime pozitive; të inkurajojë pjesëmarrjen aktive; të promovojë dhe të mbrojë diversitetin dhe gjithëpërfshirjen; të rrisë investimet për të rinjtë; të transformojë qytetin në një pikë ndërkombëtare takimi; të krijojë rrjetëzime dhe sinergji mes të rinjve nga e gjithë Evropa.
Të rinjtë nga gjithë Shqipëria patën mundësinë të gjenin veten në një apo më shumë, prej tetë shtyllave kryesore të titullit: Rinia prodhon Ekonomi Krijuese dhe Novacion; Rinia krijon Kulturë; Rinia zhvillon Kapacitete; Rinia dhe Pjesëmarrja; Rinia dhe Diversiteti; Rinia është Evropiane; Rinia dhe Eco-Health; Rinia dhe Hapësirat Rinore.
Por teksa viti 2022 po mbaron dhe titullit “Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë” po i vjen fundi, në fakt asgjë nuk mbaron këtu. Skuadra e Tirana EYC 2022 – Kongresi Rinor Kombëtar do jetë aty, gjithmonë për të rinjtë dhe me të rinjtë, për t’i mbështetur ata në çdo ëndërr dhe sipërmjarrje të tyren, teksa hapim një kapitull të ri së bashku në 2023.