
Tirana si Kryeqyteti Evropian i Rinisë (EYC) 2022, përtej programit të gjerë me më shumë se 1000 aktivitete gjatë gjithë vitit po fuqizon të rinjtë si agjentë të ndryshimit pozitiv në komunitet duke u siguruar që të bëhet vërtet një qytet gjithëpërfshirës për të gjithë brezat. Mes shumë aktivitetesh dhe projektesh kemi mirëpritur edhe të rinj dhe partnerë ndërkombëtare nga gjithë rajoni dhe Evropa. I tillë ishte dhe shkëmbimi ndërkombëtar me përfaqësues organizatash nga Vjena, Austria, përgjatë datave 5-8 Shtator.
Qyteti i Vjenës ka një bashkëpunim të gjatë me qytetin e Tiranës i cili vazhdon dhe në kuadër të Tirana EYC 2022. Ndaj, dhe objektivi kryesor i kësaj vizite studimore ishte krijimi i një shkëmbimi mbi punën rinore dhe me të rinjtë ndërmjet qyteteve të Vjenës dhe Tiranës, duke ndarë eksperienca dhe duke krijuar hapësira për bashkëpunim të mëtejshëm.
Delegacioni vjenez u mirëprit nga Menaxherja e Marrëdhënieve Ndërkombëtare Tirana EYC 2022- KRK znj. Irena Topalli, e cila prezantoi aktivitetet në kuadër të EYC 2022 dhe punës së organizatave në Tiranë, sfidat dhe praktikat më të mira. Në të njëjtën kohë, delegacioni vjenez pati mundësinë të kontribuojë përgjatë diskutimit mbi tematikat e pjesëmarrjes, diversitetit dhe hapësirave rinore, programe të cilat janë pjesë fundamentale e implementimit të makro-programit Tirana EYC 2022.
Diskutimet u fokusuan gjithashtu edhe mbi strukturën, organizimin, planifikimin e brendshëm të punës së ekipit të Kongresit Rinor Kombëtar për mbarëvajtjen e rreth 1000 aktivitete me në fokus programet bazë të makro-programit Tirana EYC 2022.
Kjo vizitë studimore shërbeu edhe për shkëmbim eksperiencash mbi punën me të rinjtë dhe me përfaqësues të institucioneve të qeverisjes lokale dhe organizatave lokale që punojnë me të rinjtë në Tiranë. Bashkia e Tiranës, Agjensia e Rinisë, dhe Agjencia Kombëtare e Rinisë ishin disa nga partnerët që u bënë pjesë e këtyre aktiviteteve duke prezantuar angazhimet e tyre mbi politikat rinore dhe punën me të rinjtë në nivel lokal.
Kjo vizitë studimore ofroi gjithashtu një mundësi për të diskutuar mbi aktivitetet në vazhdim dhe bashkëpunimin e mundshëm ndërmjet delegacionit vjenez dhe Tirana EYC 2022 – KRK.
Vizita u mbyll me një takim pranë ambienteve të Këshillit Bashkiak në Tiranë ku u diskutua mbi ”Formimi i politikave publike dhe hapësirave për të rinjtë” me prezencën e Drejtoreshës së Agjensisë për Rininë znj. Enkelejda Hamzaj, dhe Koordinatores së Përgjithshme të Tirana EYC 2022 – KRK znj. Aspasjana Kongo, nën moderimin e Menaxheres së Marrëdhënieve Ndërkombëtare Tirana EYC 2022 – KRK znj. Irena Topalli.
Delegacioni konsistoi në 6 pjesëmarrës, përfaqësues të organizatave dhe shoqatave të Vjenës:
WIENXTRA: Organizatë e cila punon për të ofruar aktivitete të kohës së lirë për të rinjtë, dhe edukim në fushën e politikave dhe aktiviteteve rinore.
MA11: Departamenti Komunal për Rini dhe Familje: Ky departament është përgjegjës për mirëqenien e të rinjve dhe personave të mitur pa kujdes familjar.
JUVIVO – Es lebe die Jugend!: Është shoqata e tretë më e madhe për punën rinore në Vjenë, punon në 6 rrethe dhe drejton Qendrat Rinore, aktivitetet e kohës së lirë në parqe për të rinjtë si dhe projekte , duke bërë punë në rrugë dhe punë në komunitet.
Bahnfrei: Është një shoqatë që punon për të avancuar projekte që lidhin të rinjtë me bashkëmoshatarët e tyre në nivel lokal.
JUNOS: Junos janë liberalët e rinj në Austri të cilët kanë themeluar një parti për të ofruar zgjidhje reale për problemet e gjeneratës së re, me në fokus lirinë e individit.