
Teatri Metropol në bashkëpunim me Kongresin Rinor Kombëtar në kuadër të titullit “Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022” prezantuan projektin e ri artistik, festivalin MetroSound – “Jehonë Arbëreshe”, i cili solli për publikun muzikën, traditën, gjuhën dhe kërkime e hulumtime mbi kulturën arbëreshe.
Tingujt e muzikës arbëreshe erdhën ëmbël për artdashësit dhe për studiuesit e muzikës nën drejtimin artistik të pianistit, multi-instrumentistit dhe kompozitorit, Robert Bisha, i cili prej vitesh jeton në Itali. Gjatë gjashtë ditëve u zhvilluan disa takime koncertore me artistë nga Shqipëria, Kosova, Italia dhe Franca.
Një moment i veçantë ishte “Takimi me Nikola Scaldaferrin”, i konceptuar si një një takim mes studiuesish, etnomuzikologësh e antropologësh. Nicola Scaldaferri është i njohur për kërkimet e tij etnomuzikologjike, të cilat janë të çmueshme jo vetëm në kultet e ndryshme shqiptare apo të diasporës tone, por edhe në shumë hapësira gjeografike dhe muzikore. Ato sot janë objekte të mirëfillta studimi në universitetet evropiane të etnomuzikologjisë. Dita e dytë i ishte kushtuar korit polifonik të vajzave arbëreshe, “Lule Sheshi”, i udhëhequr nga Scaldaferri. Pesë vajza të reja kënduan me shumë pasion dhe çiltërsi polifoninë e gjyshërve të tyre. Një moment i veçantë ishte ngjitja në skenë e trios vokale Samaïa nga Franca që sollën plot muzikalitet dhe emocione, këngë nga Mesdheu të kënduara në gjuhët origjinale dhe të luajtura në instrumenta tradicionale.
Një natë ndryshe erdhi nga Paolo Angeli nga Italia. Kitaristi dhe kompozitori Paolo Angeli prezantoi projektin e tij të fundit “JAR’A”.
Natën e fundit të festivalit MetroSound – “Jehonë Arbëreshe” e mbylli Robert Bisha me piano solo “Nostalgjia Arbëreshe” Shqipëri-Itali. Robert Bisha, kishte përzgjedhur serenatat e famshme arbëreshe, polifoninë underground dhe influenca kishtare bizantine për t’i sjellë mjaft bukur gjatë koncertit. Ngjyrosjet harmonike dhe transfigurimi ritmiko-melodik nën dritën e ngrohtë të skenës erdhën si një homazh i ëndrrës arbëreshe.
Tirana EYC 2022 vjen si një program i larmishëm ku arti dhe kultura janë në fokus si forca që transformojë vizionin e një shoqërie, forcojnë komunitetet lokale dhe krijojnë një ndjenjë identiteti dhe përkatësie tek njerëzit e të gjitha moshave, por në veçanti tek brezi i ri.