
Kongresi Rinor Kombëtar në kuadër të programit Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë (Tirana EYC 2022) u takua me përfaqësues të institucioneve evropiane në Belgjikë, përgjatë 30 Nëntor – 2 Dhjetor 2022.
Ndalesa e parë ishte në Ghent, Belgjikë në aktivitetin #Ideamatch të organizuar nga Ghent EYC 2024 ku pjesëmarrësit patën mundësinë të shohin dhe dokumentarin e bërë nga aktivistët e #TiranaEYC2022 dhe të rinjtë nga Belgjika gjatë shkëmbimit rinor të organizuar në Tiranë në Shtator 2022. Në këtë event ishin pjesë dhe qytetet Klaipeda EYC 2021, Lublin EYC 2023, dhe përfaqësues të Forumit Rinor Evropian.
Gjatë takimeve në Bruksel, ekipi i Kongresit Rinor Kombëtar prezantoi programin dhe mundësitë që Tirana EYC 2022 ofron për të rinjtë jo vetëm në Shqipëri, por kudo në rajon dhe Evropë. Së bashku me Drejtoritë e Përgjithshme (DG) të Komisionit Evropian si Drejtoria e Përgjithshme për Negociatat Evropiane të Fqinjësisë dhe Zgjerimit (DG NEAR) dhe Drejtoria e Përgjithshme për Edukim dhe Kulturë (DG EAC) diskutuam mbi politikat rinore dhe dimensionin rinor në proceset e zgjerimit të BE-së dhe integrimit të Shqipërisë.
Përgjatë diskutimeve u shkëmbyen praktikat më të mira për krijimin e një mjedisi më të mirë dhe fuqizues për të rinjtë, një mjedis që inkurajon pjesëmarrjen aktive të tyre dhe ku interesat e të rinjve janë prioritet. Për këtë arsye, pjesë e agjendës së takimeve në Bruksel ishte dhe takimi me përfaqësues nga ekipi i Forumit Rinor Evropian, Ivan Neirotti – Koordinator Projekti EYF, si një nga takimet e para realizuar pasi KRK u anëtarësua në Forumin Rinor Evropian.
Takimet në Bruksel përfunduan me një diskutim të ngrohtë me të rinj dhe përfaqësues të medias, organizatave të shoqërisë civile dhe partnerë të KRK, në pritjen e organizuar në bashkëpunim me Rajonin e Puglias. Së bashku me Bashkinë Tiranë, KRK ka ndërtuar një partneritet solid me Rajonin e Puglias për të punuar së bashku mbi nisma të reja të përbashkëta dhe projekte strategjike të ardhshme.
Ky bashkëpunim është realizuar edhe në kuadër të marrëveshjes “Puglia-Albania, Joint for Future” për mbështetjen e të rinjve dhe sipërmarrjeve krijuese e kulturore jo vetëm në këtë vit shumë të rëndësishëm që Tirana mban titullin Kryeqyteti Evropian i Rinisë por dhe më gjerë. Në panelin e pritjes pranë ambienteve të Rajonit të Puglias, pjesëmarrës ishin Drejtoresha Ekzekutive e KRK Dafina Peci, Zv.Kryetare e Bashkisë Keti Luarasi, dhe Drejtor i përfaqësimit të zyrës të Rajonit të Puglias në Bruksel Alessandro Delli Noci.
“Jemi të lumtur për ndërtimin e bashkëpunimit dhe projekteve të përbashkëta që synojmë të realizojmë së bashku me Rajonin e Puglias në fushën e ekonomsë dhe sipërmarrjes krijuese. Ky vit ka dëshmuar se diversifikimi i programeve dhe politikave rinore kërkon sinergji dhe bashkëpunime ndërsektoriale për të fuqizuar të rinjtë si udhëheqës të transformimit kulturor dhe kreativ në shoqëri. Për më tepër, në rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë ata janë dhe do të jenë një zë i fortë dhe partner strategjik në nivel evropian.” – theksoi Peci në fjalën e saj.
Në këto takime ishin pjesë përfaqësues të Institutit për Bashkëpunim dhe Zhvillim (CDI) kryesuar nga Drejtoresha Ekzekutive Krisela Hackaj. Bashkëpunimi mes CDI dhe Kongresit Rinor Kombëtar në kuadër të Tirana EYC 2022,do të mundësojë më shumë sinergji dhe rrjetëzim ndërmjet aktiviteteve të programit “Rinia është Evropiane” dhe aktorëve të BE-së.
Ekipi i KRK u përfaqësua nga Drejtoresha Ekzekutive Dafina Peci, Menaxher Programi Ergys Gezka, Menaxhere e Marrëdhënieve Ndërkombëtare Irena Topalli, Menaxhere Monitorimi dhe Vlerësimi Dikensa Gjokutaj, Menaxhere e Komunikimit Dea Elmasllari dhe Përgjegjës Politikash dhe Koordinator Programi “Ekonomia Krijuese dhe Inovacioni” Klajdi Priska.