
Dinamika e anëtarësimit hap rrugën për më shumë përfshirje të aktorëve lokalë, rritjen e ndikimit të drejtpërdrejtë të politikave të mbështetura nga BE-ja dhe shumë më tepër mundësi për qytetarët e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë këtu edhe të rinjtë. 2023 gjithashtu shënon edhe Vitin Evropian të Aftësive, duke shërbyer kështu si një moment i mirë nga i cili duhet përfituar për të rritur ndikimin e të rinjve brenda këtyre instrumentave të financuar nga Politika e Kohezionit e BE-së.
Nëpërmjet thirrjeve të reja, programimi i INTERREG IPA dhe IPA CBC 2021-2027 do të ofrojë mundësi aktuale për të rinjtë që të angazhohen dhe të përfitojnë. Thirrja e fundit e Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA Mali i Zi – Shqipëri 2014-2020 është e hapur deri më 15 qershor, ndërsa thirrja e parë e Programit ADRION do të qëndrojë e hapur deri më 30 qershor. Ndërkohë një tjetër program, ai i Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA Greqi – Shqipëri do të hapi thirrjen e radhës për aplikime në Maj.
Për të diskutuar mbi këto tema dhe pritshmëritë e të rinjve nga rajoni për programet e Bashkimit Evropian, Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim, në partneritet me Komisionin Evropian DG Regio dhe në bashkëpunim me Kongresin Rinor Kombëtar, organizoi një workshop ditën e premte më 28 prill, në të cilin ishin ftuar përfaqësues të organizatave rinore dhe lokale që merren me politkë-bërje.
Gjatë workshopit u diskutua mbi bashkëpunimin rajonal si nxitës në krijimin e partneriteteve rinore dhe nxitjen e pjesëmarrjes rinore në politikëbërje. I rëndësishëm ishte dhe diskutimi mbi mënyrën se si Rekomandimet e Manifestit të Rinisë mund të reflektohen në programet Interreg. Një pjesë e këtyre rekomandimeve mund të adresohen nëpërmjet projekteve të ndryshme që zbatohen nën këto programe, duke i përfshirë të rinjtë jo vetëm si përfitues të trajnimeve apo workshopeve, por edhe si bashkëpuntorë që në fazat e para të konsultimit të ideve dhe shkrimit të projekteve e deri te zbatimi i tyre.
Znj. Hackaj theksoi gjatë fjalës së saj se ‘Bashkëpunimi territorial nëpërmjet programeve Interreg dhe makro-rajoneve, luan një rol kyç në adresimin e sfidave të ndryshme me të cilat të rinjtë përballen siç është aksesi në mundësitë e punësimit dhe përmirësimi i aftësive. Megjithatë mbetet ende shumë punë për të bërë që shumë prej mundësive që ofrohen nga programet të arrijnë te të rinjtë dhe të përkthehen në mundësi reale për rritje profesionale dhe personale. Që këto procese të ndodhin duhet që të rinjtë dhe organizatat rinore të konsiderohen si partner nga këto programe.’
Ndërkohë, Dafina Peci, Drejtoreshë e KRK – Tirana EYC 2022, gjatë ndërhyrjes së saj shtoi se “Investimi në kapitalin rinor është faktor i rëndësishëm për të garantuar suksesin e nismave ndër-rajonale dhe politikave të kohezionit. Ndaj, ndërmjet programit të TiranaEYC2022, i dedikuam vëmendjen e duhur kompontentëve të vlerave dhe integrimit evropian duke i sjellë ato në praktikë më pranë të rinjve, në saj të hapësirave që kemi krijuar për të përforcuar dialogun mes të rinjve dhe politikbërësve në nivel kombëtar dhe europian.”
Ndërtimi i partneriteteve dhe marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe pasja e një vizioni të përbashkët mes programeve dhe palëve të interesuara është një faktor shumë i rëndësishëm që nxit zhvillimin dhe përfshirjen e mëtjeshme të të rinjve në këto programe. Është përgjegjësi e të gjitha palëve të punojnë në mënyrë të qëllimshme për gjetjen e hapsirave në të cilat të rinjtë mund të përfshihen, japin kontributin e tyre dhe gjithashtu të jenë përfitues direkt të projekteve.