
Më shumë se 150 pjesëmarrës nga Ballkani Perëndimor diskutuan mbi novacionin dhe dixhitalizimin drejt një rimëkëmbjeje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme. Ky ishte eventi hapës i projektit rajonal “Zhvilluesit dhe sipërmarrësit e rinj për avancimin e bizneseve start-up në Ballkanin Perëndimor” (YDEAS II), mbajtur më 1 Mars në Tiranë, i cili implementohet nga Prezenca e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, organizuar në bashkëpunim me Kongresin Rinor Kombëtar dhe Bashkinë e Tiranës në kuadër të programit Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 20222.
Ky aktivitet, i cili nxorri në pah potencialin e kompanive start-up dixhitale dhe sociale për rimëkëmbjen e Ballkanit Perëndimor pas pandemisë. Si të përdoret novacioni dhe dixhitalizimi drejt një rimëkëmbjeje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme pas pandemisë ishte në fokus të kësaj veprimtarie dyditore rajonale.
Kryetarë bashkish, mbi 40 kompani start-up – më shumë se 150 pjesëmarrës nga Ballkani Perëndimor – diskutuan se si mund të zbatohet sa më mirë projekti i ri i OSBE-së “Zhvilluesit dhe sipërmarrësit e rinj për avancimin e kompanive start-up” (YDEAS).
“Ky forum sot, me shumë se gjithçka tjetër, është një kujtesë se sa e rëndësishme është të kesh edhe fqinjin në ambiciet dhe në ëndrrat e tua, se sa i rëndësishëm është bashkëpunimi. OSBE-ja, si organizata që u krijua për siguri dhe bashkëpunim, është ndoshta agjenti më i rëndësishëm për të kryer dhe ofruar këtë mision”, tha z.Erion Veliaj, Kryetar i Bashkisë së Tiranës.
“Stuhia që shkaktoi pandemia ofron mundësinë për të mbledhur dijet tona të përbashkëta drejt përgjigjeve novatore”, tha Ambasadori Igli Hasani, Bashkërendues i Veprimtarive Ekonomike dhe Mjedisore të OSBE-së.
“Ndërsa përpiqemi të rimëkëmbemi nga kriza e COVID-19-s, do të kemi vetëm fitore nëse investojmë në ndërmarrjet sociale, pasi ato sjellin rritje socio-ekonomike përmes përfshirjes sociale, ndërlidhjes dhe zhvillimit të zgjidhjeve të qëndrueshme për sfidat e përbashkëta”, theksoi Ambasadori Vincenzo Del Monaco, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.
Përfaqësuesja e Posaçme e OSBE-së për Rininë dhe Sigurinë, znj. Maria Raczyńska, shtoi: “Jam e bindur që është thelbësore t’i njohim të rinjtë me botën profesionale, t’u japim mundësi në të. Do të doja t’ju nxisja juve, sipërmarrësve të rinj, që janë në prag të fillimit të bizneseve, të mos i nënvlerësoni parimet tuaja, vlerat tuaja, perspektivat tuaja”.
Sipërmarrës, përfaqësues universitetesh, autoritete vendore, organizata rajonale dhe ndërkombëtare ranë dakord që projekti YDEAS është një nismë shumë e nevojshme, që vjen në kohën e duhur. “Në kohë pabarazish të vijueshme, projekti YDEAS do të përdorë fuqinë shndërruese të ekonomisë dixhitale dhe sociale për të ecur përpara më mirë”, theksoi i znj. Teresa Albano, Zyrtare e Çështjeve Ekonomike në OSBE.
Takimi hapës i YDEAS u organizua nga Zyra e Bashkërenduesit të Veprimtarive Ekonomike dhe Mjedisore të OSBE-së, me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Kongresit Rinor Kombëtar dhe Bashkisë së Tiranës. Fazat e para të projektit 24-mujor mbështeten me kontributin financiar të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë dhe nga Kryesia polake e OSBE-së 2022.