
Kongresi Rinor Kombëtar (KRK) dhe Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim (CDI) nënshkruan një Memorandum Bashkëpunimi më 9 Maj, duke bërë një hap të rëndësishëm përpara në bashkëpunimin mbi projekte dhe iniciativa strategjike të përbashkëta. Memorandumi i Bashkëpunimit u nënshkrua nga Drejtoresha Ekzekutive e KRK znj. Dafina Peci, Drejtoresha Ekzekutive e CDI znj. Krisela Haçkaj dhe Koordinatorja e Përgjithshme e Tirana EYC 2022 pranë KRK znj. Aspasjana Kongo, nën prezencën e anëtarëve të dy organizatave respektive.
KRK dhe CDI kanë bashkëpunuar në vitet e fundit në projekte dhe iniciativa të ndryshme që synojnë të mbështesin të rinjtë për t’u bërë partnerë të reformave e proçeseve demokratike dhe atyre të integrimit Evropian në Shqipëri.
Nëpërmjet këtij memorandumi palët dakordësuan mbi pjesëmarrjen e Tirana EYC 2022 në edicionin e 8-të të Tirana Connectivity Forum (TCF) me qëllim forcimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet palëve gjatë implementimit dhe zbatimit të programit “Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022”.
Tirana Connectivity Forum është një forum i përvitshëm që sjell në Tiranë aktorë të ndryshëm dhe politikëbërës të përfshirë në dinamikat e zgjerimit, bashkëpunimit rajonal dhe Evropian, \ bashkëpunimit rinor. Edicioni TCF2022 është pjesë e kalendarit zyrtar të Vitit të Rinisë, të shpallur nga Komisioni Evropian. Bashkëpunimi do të fuqizojë përfshirjen rinore në politikat e ndryshme sektoriale të BE dhe maksimizojë impaktin e programit “Rinia është Evropiane” nëpermjet ndërlidhjes me institucionet e Bashkimit Evropian në kuadër të Vitit të Rinisë.
“Integrimi i plotë i të rinjve dhe krijimi i kushteve të nevojshme për aktivizimin, pjesëmarrjen dhe fuqizimin e tyre, janë disa nga shtyllat tona të punës së përbashkët për vitin në vazhdim, duke u bazuar kështu edhe tek programi i Tirana EYC 2022 dhe objektivat strategjikë të tij” nënvizoi znj. Peci në fjalën e saj.
“Është e rëndësishme që në sajë të këtij bashkëpunimi të nxjerrim në pah nevojat dhe kërkesat e të rinjve duke i bashkërenduar ato me mekanizmat dhe politikat e procesit të zgjerimit dhe integrimit Evropian”, theksoi znj. Haçkaj.
KRK është një organizatë ombrellë rinore e themeluar në Mars 2013 në Tiranë me qëllim mobilizimin e organizatave rinore dhe atyre që punojnë me të rinjtë për të forcuar rolin e të rinjve në shoqëri, për të nxjerrë në pah çështjet rinore si dhe për të advokuar për zgjidhjen e tyre.
CDI është një Think Tank i themeluar në vitin 2000, me qendër në Tiranë, Shqipëri. Si një organizatë politikisht e pavarur, jofitimprurëse dhe joqeveritare, misioni i CDI është të përmirësojmë cilësinë e politikave publike nëpërmjet hulumtit të bazuar në fakte dhe studime analitike.
KRK dhe CDI ndajnë të njëjtat vlera dhe parime mbi fuqizimin e të rinjve dhe rolin e tyre për avancimin e proçeseve të integrimit Evropian në Shqipëri. Të dyja palët mbështesin dhe promovojnë pjesëmarrjen aktive të të rinjve në proçese vendimmarrëse si dhe nxitjen e bashkëpunimit të tyre me politikbërës dhe aktorë të tjerë.