
Në datat 10 dhe 12 Tetor, Kongresi Rinor Kombëtar në kuadër të programit Tirana EYC 2022 u bë pjesë e aktiviteteve të organizuar në kuadër të edicionit të vitit 2022 për Ditët e Rinisë, ndryshe EU4Youth Days.
Një prej tyre ishte eventi i mbajtur në Bruksel, Belgjikë, në Komisionin Evropian. Eventi i titulluar “TAIEX: Workshop rajonal për Ndërtimin e Urave – Pjesëmarrja e të Rinjve në BE dhe në rajonet partnere” u organizua në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit (DG NEAR) në Komisionin Evropian. TAIEX (në shqip: Asistenca Teknike dhe Shkëmbimi i Informacionit) është një instrument i Komisionit Evropian, i cili ofron reflektime dhe rekomandime nga ekspertë dhe profesionistë për qeverinë qendrore dhe administrata e vendeve kandidate në procesin e integrimit evropian për përafrimin e bazave ligjore kombëtare me atë të acquis dhe politikat e BE-së.
Drejtoresha Ekzekutive e Kongresit Rinor Kombëtar znj. Dafina Peci ishte pjesë e panelit “Modelet e angazhimit të të rinjve dhe dialogut rinor në nivel kombëtar dhe lokal”, ku pati mundësinë të prezantonte edhe punën që KRK po kryen për implementimin e programit Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë. Gjatë fjalës së saj, znj. Peci theksoi se më shumë se një titull dhe një çmim për Tiranën si Kryeqyteti Evropian i Rinisë për vitin 2022, ky program solli një mënyrë të re bashkëpunimi, rimendimi, dizajnimi, stimulimi dhe fuqizimi për të rinjtë e Tiranës dhe Shqipërisë.
Si pjesë e programit TAIEX, pjesëmarrësit diskutuan edhe mbi rëndësinë e shkëmbimeve rajonale dhe ndërkulturore në fushën e rinisë dhe rolin aktiv që të rinjtë duhet të kenë për angazhimin e tyre të mirëfilltë në politika që i ndikojnë ata. Fuqizimi i tyre dhe përforcimi i bashkëpunimeve rajonale në fushën e rinisë ishte një nga diskutimet që gjithashtu u adresua në këtë panel.
Ndërkohë, në Tiranë, ekipi i Kongresit Rinor Kombëtar u bashkua me aktivitetet e organizuara nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, për të diskutuar mbi planet, sfidat dhe momentet kyçe të punës sonë me të rinjtë përgjatë këtij viti. Gjithashtu, mirëpritëm në stendën tonë pranë ambienteve të Delegacionit të rinj dhe të reja të interesuar për të mësuar më shumë mbi programin Tirana EYC 2022.
Aktivistë të rinj dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile me fokus rininë u bashkuan në këtë event dedikuar tërësisht rinisë dhe sfidave të saj.