
Allweb Albania u rikthye në Shqipëri këtë nëntor, pas dy vitesh! Këtë herë ky aktivitet u mbështet nga Kongresi Rinor Kombëtar dhe Bashkia Tiranë në kuadër të titullit “Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022”. Konferenca ndërkombëtare e marketingut dixhital u fokusua në shkëmbimin e njohurive dhe zhvillimin e biznesit. Allweb u organizua për herë të parë në Tiranë në vitin 2016, me një event që tejkaloi pritshmëritë e tij fillestare dhe u prit shumë mirë nga audienca e përbërë nga profesionistët e fushës dhe kompani e biznese novatore.
Drejtoresha e Kongresit Rinor Kombëtar, Dafina Peci tha se këtë vit, më shumë se kurrë, Tirana po vë në qendër të vëmendjes të rinjtë, duke u fokusuar edhe në shpirtin sipërmarrës dhe krijues të tyre.
“Nëpërmjet një prej programeve tona të Tiranës, Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022, i titulluar “Të rinjtë krijojnë ekonomi dhe inovacion” ne po mbështesim mbi 30 projekte që inkurajojnë të rinjtë të transformojnë krijimtarinë e tyre dhe ta kthejnë atë në një forcë pozitive ndryshimi. Përmes këtij programi ata po fuqizohen drejt risive të botës digjitale”, u shpreh Peci.
Temat e këtij viti në konferencë ishin përvoja e përdoruesit, eksplorimi kreativ, metaverse, web3, strategji biznesi dhe si çdo herë praktikat më të mira të marketingut dixhital.
Ky aktivitet organizohet në bashkëpunim me programin Tirana European Youth Capital 2022 me mbështetjen financiare të Kongresit Kombëtar të Rinisë në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës.