
U prezantuan sot për herë të parë gjetjet e studimit kombëtar mbi punën rinore në Shqipëri, me titull Dimensione Rinore: Potenciali dhe Zhvillimi i Punës Rinore në Shqipëri. Në një konferencë të dedikuar punës rinore në vend, organizata Përtej Barrierave dhe Kongresi Rinor Kombëtar prezantuan gjetjet e këtij studimi dhe mblodhën rekomandime konkrete mbi përmirësmin e infrastrukturës së punës rinore.
Konferena Kombëtare e Punës Rinore 2.0 solli në një event të përbashkët aktorë mbështetës të fushës, si organizatat e shoqërisë civile, përfaqësues të Njësive të Vetëqeverisjes Lokale nga disa qytete, grupe jo formale rinore, të rinj të angazhuar në punën rinore, ekspertë dhe studiues të fushës, të cilët diskutuan mbi gjetjet e studimit dhe mbi sfidat aktuale të punës me të rinjtë në Shqipëri.
Studimi konstaton se pjesa më e madhe e punonjësve rinor 62.5% e ushtrojnë veprimtarinë si punonjës rinor në organizata rinore/për të rinj dhe si rrjedhojë vetë ata 75%, e konsiderojnë punën rinore si profesion. Të dhënat e mbledhura në studim tregojnë se “punonjësi rinor” nuk ka një status të përcaktuar ose standard ku të bazohet për tu njohur si i tillë. Nuk ka dokumenta që cilësojnë apo përshkruajnë kompetencat dhe aftësitë që kërkohen për punonjësin rinor, me përjashtim të listës kombëtare të profesioneve që jep vetëm një përshkrim të shkurtër.
Këto tema ishin po ashtu në fokus të fjalës hapëse të të ftuarve në panel, ku theksi u vu në nevojën për më shumë bashkëpunim dhe bashkërendim të nismave për të përmirësuar dhe rregulluar infrastrukturën e punës me të rinjtë në Shqipëri, përmirësimin e politikave rinore që rregullojnë fushën dhe përfshirjen e institucioneve përkatëse.
Pas prezantimit të studimit, të ftuarit punuan në 5 grupe të ndryshme për të dhënë rekomandime konkrete të cilat PB dhe KRK do ti publikojnë në një Dokument POlitik I cili do të përdoret për të advokuar mbi përmirësimin e infrastrukturës së punës rinore, rolin dhe statusin e punonjësit rinor si dhe sigurimin e cilësisë së punës rinore në vend.
Ky event dhe studimi kombëtar janë pjesë e projektit “Dimensione Rinore – Potenciali dhe Zhvillimi i Punës Rinore në Shqipëri”, një iniciativë flamur e zbatuar nga organizata Përtej Barrierave në bashkëpunim me Kongresin Rinor Kombëtar në kuadër të programit “Tirana Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022”, me mbështetjen financiare të KRK dhe Bashkisë Tiranë.