
40 të rinj të moshës nga 18 deri në 24 vjeç u përzgjodhën për të qenë pionierët e përvojës së parë OriginAL në Shqipëri dhe Kosovë. Të rinjtë nga diaspora vizituan për 12 ditë Kosovën dhe Shqipërinë për t’u njohur më mirë me origjinën e tyre.
Pjesëmarrësit ishin nga 15 vende të ndryshme dhe kishin vetëm një gjë të përbashkët – origjinën shqiptare. Ata përfaqësojnë gjeneratën e dytë dhe të tretë të emigrantëve, të cilët edhe pse të lindur dhe rritur në kultura të ndryshme dhe multietnike janë të etur për të zbuluar rrënjët e tyre.
Itinerari OriginAL përfshiu disa nga vendet më të rëndësishme të Shqipërisë dhe Kosovës. Udhëtimi nisi në Prishtinë më 10 gusht, më pas në Mitrovicë më 12 gusht, e në Prizren, ku u bë një ndalesë pranë memorialit të familjes Jashari në Prekaz.
Në Prizren të rinjtë morën pjesë edhe në festivalin e filmit të shkurtër dhe dokumentar Doku Fest, si dhe shijuan bukuritë natyrore të Malit të Sharrit. Në Gjakovë, vizituan kooperativën e grave të Krushës, të udhëhequr nga Fahrije Hoti – personazhi kryesor nga i cili u frymëzua filmi fitues i Sundance – ‘Hive’, si dhe qytetin e vjetër – “Çarshia”.
Më pas të rinjtë mbërritën në Shqipëri, ku Lezha ishte destinacioni i parë. Prej aty, përmes Durrësit udhëtuan drejt Vlorës, Beratit, Krujës e në fund në kryeqytetin shqiptar, Tiranë.
40 të rinjtë u njohën edhe me titullin “Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022”, ku në ambientet e TEYC zhvilluan edhe workshop-in mbi aktivizimin publik dhe pjesëmarrjen në shoqëri.
Aktiviteti u organizua në kuadër të titullit “Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022” 2022 me mbështetjen e Kongresit Rinor Kombëtar, në bashkëpunim me organizatat GERMIN dhe Global Albanians Foundation, të cilët organizuan një tur 2 javor të 40 të rinjve Shqipëtar nga diaspora dhe për dy javë vvizituan Kosovën dhe Shqipërinë si pjesë e programit ORIGINAL.