
Më 11 Qershor 2022, Kosova ishte mikpritëse e Konferencës së “Balkan Leadership” me temën “Paqja, Siguria dhe Zhvillimi në Ballkanin Perëndimor”. Të ftuar në këtë konferencë ishin figura qendrore qeveritare, përfaqësues të shoqërisë civile nga rajoni, dhe ekspertë të ndryshëm të fushës.
Folëse në këtë konferencë ishte edhe Drejtoresha Ekzekutive e Kongresit Rinor Kombëtar, Znj. Dafina Peci, si përfaqësuesja e organizatës më të madhe rinore kombëtare në Shqipëri.
Në kuadër të këtij aktiviteti dhe për shkak të angazhimit të saj në çështjet e paqes dhe sigurisë, Znj. Peci u nderua nga Federata Universale e Paqes me titullin “Ambasadore Rinore e Paqes”.
E nderuar me titullin “Ambasadore Rinore e Paqes”, në fjalën e saj znj. Peci u shpreh shumë e privilegjuar, duke e konsideruar këtë titull dhe konferencën “Paqe, Siguri dhe Zhvillim në Ballkanin Perëndimor” si një rikujtesë se forca e paqes është kusht për progresin demokratik të rajonit tonë dhe rinia është burimi i saj kryesor.
Lexo op-ed, Dafina Peci mbi Rolin e të Rinjve për Paqen dhe Sigurinë:
Duke qenë njëkohësisht edhe një nga rajonet më aktive ku bashkëpunimi rajonal është kryefjala e çdo platforme politike apo iniciative shtetërore rajonale, rajoni ynë ende i ka të gjalla plagët e hapura nga konfliktet ndëretnike në dekadat e fundit dhe nevojat e mekanizmave paqebërëse.
Kjo eksperiencë ka krijuar ndërgjegjësimin e mjaftueshëm për të përballuar edhe sfidat që sjellin konfliktet e reja në kufinjtë e rajonit apo më gjerë. Lufta dhe konflikti është një përvojë shokuese për shumë shoqëri, shtete dhe breza popullatash, por pikërisht kjo përvojë, për punën e Kongresit Rinor Kombëtar ka forcuar edhe më shumë bindjen se të rinjtë janë paqendërtuesit dhe krijuesit e një të tashmeje dhe të ardhmeje të begatë.
Zhvillimi demokratik i një vendi është premtim që u bëhet shpesh brezave të rinj dhe harmonia socio-kulturore është garancia që duhet “ushqyer” rregullisht, edhe kur qiejtë duken të pastër e pa re. Energjia, shpresat dhe vizioni i të rinjve janë ato faktorë që identifikojnë traditat që lidhin kombet, më shumë se ato që i ndajnë. Investimi në edukim dhe ndarje përvojash përtej kufijve është kura që mund të aplikohet mbi çdo plagë të lënë pas nga konflikti, një kurë që shëron më lehtë nga të rinjtë dhe shpirti i tyre i mbushur me shpresë dhe kurajo për të ardhmen.
Në këtë aspekt, shoqëria civile ka një rol vendimtar për të fuqizuar dhe për shtyrë më tej zërat e të rinjve që kërkojnë të ndërtojnë të ardhmen e tyre mbi paqe dhe bashkëpunim pa dallime etnike, fetare apo kulturore.
Që prej themelimit, Kongresi Rinor Kombëtar bashkon organizata të ndryshme në nivel kombëtar dhe rajonal, zonat rurale dhe urbane, organizatat studentore, forumet politike rinore dhe lloje të tjera shoqatash, duke përfaqësuar interesat e të rinjve në Shqipëri, pavarësisht nga pozita e tyre social-ekonomike, gjinia, raca, përkatësia etnike dhe kulturore, bindjet politike dhe fetare, orientimi seksual, identiteti gjinor apo çdo formë tjetër dallimi.
Kjo me qëllimin e vetëm për të përfshirë të rinjtë, jo vetëm duke folur për ta, jo vetëm duke i pasur në tryezë, por duke i lejuar ata të formësojnë dhe përcaktojnë bisedën drejt një realiteti të paqtë.