
Në kuadër të programit Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022, për dy ditë me rradhë në Pallatin e Kongreseve, më 23 dhe 24 Shkurt u ekspozuan qindra vende të reja pune nga bizneset greke që operojnë në Tiranë. “Syn Ergasia”, Panairi i Punës dhe Aftësive përfaqëson një përpjekje të përbashkët të Kongresit Rinor Kombëtar me Ambasadën e Greqisë në Tiranë, Bashkisë së Tiranës dhe Shoqatës Helenike të Biznesit të Shqipërisë dedikuar për mundësitë e punësimit dhe ndërtimin e karrierës.
Drejtoresha Ekzekutive e Kongresit Rinor Kombëtar znj. Dafina Peci dhe CEO – Koordinatore e Përgjithshme për Tirana EYC 2022 pranë KRK znj. Aspasjana Kongo theksuan rëndësinë e nxitjes së punësimit për të rinjtë si një nga pikat e forta të programit “Rinia prodhon Ekonomi Krijuese dhe Novacion” të Tirana EYC 2022. Mbështetja dhe fuqizimi i të rinjve është prioriteti i programit Tirana EYC 2022.
Panairi i Punës “Syn Ergasia” u vizitua edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ai tha se ky event, që vjen në kuadër edhe të titullit “Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022” ofron 800 vende të reja pune për të rinjtë shqiptarë. Ndërsa, kryetari i Bashkisë së Selanikut, Konstantinos Zervas, u shpreh i lumtur se bashkëpunimi mes dy qyteteve do të vijojë të rritet në të ardhmen.
Një pjesë shumë e rëndësishme gjatë panairit “Syn Ergasia” ishte dhe organizimi i workshopeve dhe seminareve ku u trajtuan tema me shumë rëndësi për aspektin profesional nga të ftuar të posaçëm të mirënjohur në tregun shqiptar dhe të huaj.