
Përgjatë tre ditëve të Gushtit, 12-13-14 Gusht, Pogradeci, përvec pushuesve, u gjallërua edhe nga të rinj nga Shqipëria e bashkëmoshatarët e tyre nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut të cilët realizuan një sërë aktivitetesh sportive e ujore. Dita e fundit u finalizua me një garë me Kanoe, që u realizua për herë të parë në Pogradec, e ku pati e fitues ne kategorite femijë, vajza e djem. E pranishme në këtë aktivitet, Koordinatorja e Përgjithshme e Tirana EYC 2022 – KRK, znj. Aspasiana Kongo u shpreh se qëllimi i këtij eventi është që të bëhet traditë për qytetin e Pogradecit për të tërhequr jo vetëm turistë vendas e të huaj, por edhe për t’i dhënë gjallëri e jetë sporteve që lehtësisht ofrohen nga ky qytet. Organizatorët në Pogradec e quajtën këtë si një projekt i parë pilot i cili do të pasojë me plot të tjerë e do të synojë përfshirje jo vetëm kombëtare por edhe përtej kufijve shqiptarë e më gjerë në vitet në vijim.
Aktivitetet në tre ditët e mbushura plot me sporte si hiking, eco-tourism, gara me kanoe e argetime te tjera pafund u mbështetën gjithashtu nga Bashkia Pogradec, Bashkia Shkodër, Bashkia Lezhë, Federata Shqiptare e Kanotazhit të Kosovës, Qendra Multifunksionale Pogradec, Klubi i Kanoeve, Strugë dhe Drini Times.
Aktiviteti sportiv tre ditor në qytetin juglindor i quajtur “Fuqizimi i të rinjve për një mjedis të pastër nëpërmjet turizmit të aventurës dhe sporteve ujore” u organizua nga shoqata “ALBACCES OPEN” në bashkëpunim me Visit Pogradec. Ky projekt erdhi në kuadër të programit Tirana EYC 2022 me mbështetjen e Kongresit Rinor Kombëtar dhe Bashkisë Tiranë.