
Të rinjtë nga rajoni i Ballkani Perëndimor përfshirë dhe Ambasadorët e Rinj Evropianë (YEAs) shkëmbyen idetë e tyre me Drejtorin e Përgjithshëm Maciej Popowski pranë Drejtorisë së Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit (DG NEAR) në Komisionin Evropian. Ata rekomanduan mbështetje të mëtejshme për pjesëmarrjen e të rinjve në vendimmarrje dhe për politikat rinore.
Shqipëria u përfaqësua nga Arilda Lleshi, e cila me mbështetjen e Kongresit Rinor Kombëtar si një aktiviste e re, përfaqësoi zërin rinor përgjatë fjalimit të saj në diskutim.
Fjalimi: Arilda Lleshi, përfaqësuese e Shqipërisë në diskutimin e hapur me të rinjtë në Komisionin Evropian.
I nderuar z. Zëvendës Drejtor për Zgjerimin Popowski, Të dashur kolegë,
Jam sot këtu për të folur në emër të rinisë shqiptare. Gjendja aktuale e rinisë shqiptare nuk është premtuese. Pothuajse çdo i ri që takon po shpërngulet jashtë vendit ose po planifikon të shpërngulet. Nga 2011 deri në 2021, popullsia rinore (15-29 vjeç) ka rënë me 90,000, një ulje prej 1/7 e të gjithë popullsisë rinore. Ajo që shohim duket më shumë si shpopullim sesa si emigrim i natyrshëm.
Por pse po largohen të rinjtë? Arsyeja më e përmendur është ekonomia dhe kjo është patjetër një arsye shtytëse. Por arsyet janë më të thella. Ato kanë të bëjnë me një humbje të përgjithshme shprese, që është rezultat i drejtpërdrejtë i situatës politike në vendin tonë. Është e vërtetë që ne kemi një problem me ekonominë, por kjo sepse, fillimisht, ne kemi një problem me demokracinë.
Demokracia në vendin tonë mbahet peng nga disa njerëz që refuzojnë të heqin dorë nga thesaret e shtetit. Dhe ata e sigurojnë sundimin e tyre të vazhdueshëm nëpëmjet një sistemi të mbyllur elektoral që pengon daljen e alternativave të reja politike. Si është sistemi i mbyllur? Së pari, sistemi proporcional me zona zgjedhore e vendos pragun shumë të lartë për lëvizje të reja, duke funksionuar pothuajse si një sistem mazhoritar në një vend të vogël si i yni. Dy, listat e mbyllura partiake e përqëndrojnë pushtetin në duart e bosëve politikë, pa ju dhënë qytetarëve mundësinë që të zgjedhin drejtpërdrejt perfaqësuesit e tyre. Riprodhimi i të njejtës elitë politike ka krijuar një gjendje apatie dhe mungesë besimi, sidomos tek të rinjtë. Shumë aktivistë kanë folur kundër këtij sistemi zgjedhor, por kërkesat e tyre nuk janë adresuar.
Ka një mënyrë specifike se si Bashkimi Europian mund ta mbështesë rininë shqiptare, duke na ndihmuar ta hapim sistemin në një sistem proporcional kombëtar me lista të hapura. Teksa Shqipëria futet në Procesin Screening, presioni nga BE për ndryshimin e këtij sistemi në sinkronizim me zëra dhe përpjekje lokale do të krijonin momentumin e nevojshëm për ndryshim.
Fotot: Komisioni Evropian (DG Near)