
Ekipi i Tirana EYC 2022 pranë Kongresit Rinor Kombëtar vizitoi Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Bruksel, Belgjikë, në një ceremoni pritjeje dedikuar titullit dhe Kongresit Rinor Kombëtar, më 20 Prill 2022.
Në ceremoninë e mbajtur pranë premisave të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Bruksel, të rinj dhe përfaqësues të organizatave rajonale dhe ndërkombëtare në Evropë u njohën me programin e Tirana EYC 2022.
“Dimensioni Evropian i titullit sjell me afër se kurrë realitetet tona duke i dhënë Shqipërisë një impuls të fortë rivitalizimi dhe shprese. Viti i rinisë në Shqipëri ka përkuar edhe me vitin Evropian të rinisë si një dhuratë e pazakontë për të dyja palët dhe për më tepër mundësi për të ofruar,” theksoi në fjalën e saj gjatë hapjes së ceremonisë Drejtoresha Ekzekutive e Kongresit Rinor Kombëtar znj. Dafina Peci.
Znj. Peci nënvizoi se ky angazhim merr një peshë edhe më të rëndësishme në kuadër të rrugëtimit të gjatë të Shqipërisë drejt BE-së, duke shërbyer si një aset i vyer në duart e të rinjve për të dhënë edhe ata vetë kontributin e tyre.
Ambasadorja e Shqipërisë në BE, Shkëlqesia e saj znj. Suela Janina shprehu se programi i Tirana EYC 2022 dhe mundësitë që ofron janë platforma të rëndësishme për të fuqizuar të rinjtë dhe për t’i sjellë ata më pranë fushave të tyre të interesit.
“Më kujtohet dita finale e kompeticionit në 2019, ku mes emocionesh, Tirana u përfaqësua në mënyrën më dinjitoze. Është një mesazh i fortë për rininë Shqiptare që puna dhe vlerat gjithmonë shpërblehen,” theksoi Ambasadorja.
Ndërtimi i urave të bashkëpunimit është çelësi për të siguruar një ndikim më të mirë të programit dhe nismave të Tirana EYC 2022 në këtë vit të rëndësishëm për rininë.
Në këto takime morën pjesë dhe përfaqësues të Cooperation and Development Institute (CDI), kryesuar nga Drejtoresha Ekzekutive e CDI znj. Krisela Hackaj. Bashkëpunimi mes Kongresit Rinor Kombëtar dhe CDI në kuadër të Tirana EYC 2022 do të mundësojë sinergji ndërmjet aktiviteteve të programit “Rinia është Evropiane” dhe aktorëve të BE-së.